Pjesëmarrësit “të dehur” nga atmosfera e krijuar nga këngët patriotike, gjuanin rafalë me armë ndërsa plumbat fluturonin mbi kokën e deputetit Daut Haradinaj dhe pjesëmarrësve në ahengun e organizuar me rastin e Ditës së Çlirimit të komunës së Deçanit.
Nën breshërinë e armëve, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ia kishte thënë këngës së tij të preferuar “O moj Kosovë, o moj bukuroshe…”, gjatë një kremte të organizuar në Deçan.
Derisa kreu i Qeverisë provonte talentin e tij prej këngëtari, ai shoqërohej me të shtëna revolesh e kallashi nga të pranishmit, raporton Sinjali.
“Të dehur” nga atmosfera e krijuar nga këngët patriotike, pjesëmarrësit gjuanin pareshtur me armë ndërsa plumbat fluturonin mbi kokat e njerëzve.
E tërë ngjarja kishte ndodhur më 26 qershor, të këtij viti, në të ashtuquajturën “Bjeshkën e Bellës” në komunën e Deçanit, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të kësaj komune.
Në videot tjera të siguruara nga sinjalizuesit, shihet vëllai i kryeministrit, deputeti Daut Haradinaj duke buzëqeshur nga tërë kjo situatë përderisa kërrus trupin nga plumbat që shkrepeshin rafalë mbi kokën e tij e nuk dihej se ku po përfundonin.
Sinjalizuesit ia kanë raportuar se në këtë aheng kanë gjuajtur me armë edhe vetë kryeministri Ramush Haradinaj dhe vëllai i tij Daut Haradinaj, deputet i Kuvendit të Kosovës.
Të pranishëm në këtë gjullurdi kanë qenë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët e kishin toleruar këtë situatë anarkie duke e përcjellë si spektatorë.
Për çudi asnjë person nuk ishte shoqëruar në Policinë e Kosovës dhe kjo ngjarje ka mbetur e pa vërejtshme për publikun e gjerë, derisa është siguruar ekskluzivisht nga redaksia e Sinjalit.
Gjatë ditës, redaksia ka raportuar edhe për një video tjetër të cilën mund ta ndiqni duke klikuar mbi këtë link. /Sinjali/