Sot në Beograd është mbajtur takimi i radhës në kuadër të nismës “Open Balkan”. Nga ky takim, liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut dolën me një kërkesë të përbashkët për Bashkimin Evropian. Ata kërkuan që BE-ja t’i përfshijë vendet e rajonit në politikat e saj tregtare dhe tatimore.
Liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar veçanërisht fonde për bujqësinë, duke e konsideruar “një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zgjeruar dhe për t’i ofruar prodhime me cilësi të lartë tregut të BE-së”.
Në deklaratën e përbashkët në përfundim të këtij takimi, liderët gjithashtu kanë bërë thirrje që të shikohet mundësia për t’u përfshirë në zonën Schengen dhe për integrim në tregun e përbashkët të BE-së, shkruan euronews.
Ata u shprehën të zhgënjyer për ngecjen e procesit të integrimit.
“Kapaciteti i diskutueshëm i BE-së për të integruar anëtarë të rinj, debatet e brendshme midis vendeve anëtare të BE-së dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë penguar përparimin real të rajonit drejt BE-së”, thuhet në deklaratëm e nënshkruar në Beograd nga Rama, Vuçiq dhe Dimitrov.
Ndërsa, për iniciativën ‘Open Balkan’, në deklaratë thuhet se Dhomat e Tregtisë së tre vendeve kanë nisur përgatitjen e një Udhërrëfyesi për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për lehtësimin e importeve dhe eksporteve në Ballkanin Perëndimor, nënshkruar më 29 korrik, në Shkup.
Ndër të tjera, në këtë takim është vendosur krijimi i një Këshilli Ndërministror, për zbatimin e masave dhe është kërkuar nga Forumi i Dhomave të Tregtisë të monitorojë procesin. /GazetaSinjali/