Kryeministri Edi Rama u premtoi të gjithë familjarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që banesat e tyre janë jashtë funksionit, se pas vitit të ri nuk do të qëndrojnë më nëpër hotele.
Kreu i qeverisë tha në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave se të gjithë këto familjarë do të kalojnë nëpër apartamente, ku do të qëndrojnë deri sa të jenë gati shtëpitë e tyre, ndërsa qiraja do të mbulohet nga qeveria.
“Kam një merak për ata që janë në zonat rurale për nevojën për t’u garantuar cilësi maksimale. Duhet të fillojë identifikimi i apartamenteve që shteti do të marrë me qira, ku do të qëndrojnë deri kur të bëhet rindërtimi, që do të zgjasë, nuk bëhet sa hap dhe mbyll sytë. Pasi të kalojën Krishtlindjet edhe Vitin e ri në hotele si njerëz dhe në Janar të kalojnë në apartamente që të ketë minimumin jetik, jo të shtrihen përtokë në çimento, por me pajisjet e nevojshme, me dyshekë”.
“Mendoj që brenda 2020 duhet të jenë të gjithë të sistemuar, masa e madhe që i kanë banesat e dëmtuara që mund të riparohen, ndërkohë që ata që do të rindërtohen totalisht, do të jetojnë në kushte normale deri kur të kthehen në shtëpitë e tyre, ku do të bëhen të reja ose diku tjetër”, tha kryeministri Rama.