image Rama thyen heshtjen: Vjosa Osmani erdhi të bëjë propagandë në Tiranë për të fituar vota

Shqipëri

Rama thyen heshtjen: Vjosa Osmani erdhi të bëjë propagandë në Tiranë për të fituar vota

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk është kursyer në akuzat e tij kundër presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmanit. Pak ditë më parë në vizitën e saj në Tiranë, Osmani u prit ftohtë nga kryeministri, ndërsa ajo mbajti një fjalim të fortë në foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar taksën në Rrugën e Kombit dhe Minishengenin Ballkanik.

Gjatë konferencës së sotme për mediat, Rama u shpreh i ashpër me qëndrimet e Osmanit, ndërsa tha se politika e brendshme është ngatërruar me atë të jashtme.

Debatin për këtë taksë, Rama e ka cilësuar grotesk. Duke ju drejtuar Osmanit, ai tha se kjo është të bësh politikë me një çështje administrative me vendin fqinj. Rama u tregua i ashpër teksa iu referua Osmanit se ka shkuar në Shqipëri për të bërë propagandë me qëllim që të fitojë vota në Kosovë.

“Unë mund të them që sigurisht objektivi ynë ka qenë dhe mbetet zero probleme me fqinjët. Por zero problemeve fqinjët nuk do të thotë fshehje e problemeve por zerim. Nuk është se ne kemi probleme, nuk kemi asnjë problem me Kosovën. Për fat të keq Kosova ka probleme me veten dhe nëse mund të bëj një përkufizim, prej disa kohësh politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe ajo e jashtme është bërë e brendshme. Kjo e ka rraskapitur Kosovën. Është një problem që e shoh me shumë shqetësim, e kam adresuar në mënyrë konstante në të gjitha bisedat e mia me udhëheqësit në Kosovë.

“Jam përpjekur edhe publikisht pa dashur të rëndoj askënd. Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit rajonal ku një nga shtylla e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovë. Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime të firmosin vullnetin e shtetit të Kosovës në shtëpinë e Bardhë për shengenin dhe një presidente në detyrë shfaqet në Shqipëri të bëjë politikë të brendshme me këtë. Akoma më grotesk është debati për traun.”

“Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur për Kosovën. Kjo është të bësh politikë me një çështje administrative me vendin fqinj. Të vish në Tiranë, të bësh propagandë për të fituar vota në Kosovë. Ai tra atje nuk është kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse për zonjën Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria ky tra është në mes të atdheut dhe duhet ta paguajnë të gjithë atdhetarët”, tha Rama./Gazeta Sinjali/