Kryeministri Edi Rama nga Parisi ku po merr pjesë në Forumin e Paqes ka shkruar sërish për luftën në Lindjen e Mesme, duke potencuar se qëndron për një armëpushim në Gaza.
Kryeministri shqiptar vuri në dukje edhe rrezikun që ky konflikt mund të ketë edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Si një anëtar i përkushtuar i NATO-s, ne shohim një model shqetësues, një angazhim të keq për të shkaktuar konflikte dhe për të mbjellë kaos në hemisferën veriore, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Këta agjentë të kaosit duhet të ndalen dhe të mposhten. Fatkeqësisht, zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza vetëm ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit”, tha ai.
At the Paris Peace Forum, I had the opportunity to meet various leaders and senior officials. On Gaza, we all agree that the conflict and the horrible suffering it inflicts need to end.
— Edi Rama (@ediramaal) November 11, 2023
As a dedicated member of NATO, we see a worrisome pattern, a sinister commitment to trigger…
Këtë postim e ka bërë ‘like’ presidenti malazez Jakov Milatoviq.
Gjithashtu, ai tha se për këtë do të punojë krahas liderëve të tjerë dhe se është inkurajuar edhe nga deklaratat e fuqishme të presidentit francez Macron për këtë çështje.
“Në Forumin e Paqes në Paris pata rastin të takoj liderë dhe zyrtarë të ndryshëm. Për Gazën, ne të gjithë biem dakord se konflikti dhe vuajtjet e tmerrshme që ajo shkakton duhet të marrin fund. Ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i mikpritësit tonë këtu në Paris, Presidentit Macron të Francës, i cili, të shtunën, më 10 nëntor, bëri thirrje fuqishëm për një armëpushim të menjëhershëm. Jam dakord me vlerësimin e Presidentit Macron se nga një armëpushim do të përfitonte gjithashtu edhe Izraeli. Si një vend paqësor dhe shumetnik me një rini të gjallë, dhënia fund e menjëhershme e vuajtjeve civile të popullit palestinez dhe izraelit dhe një paqe e qëndrueshme midis këtyre dy kombeve është me interes strategjik për Shqipërinë. Unë do të vazhdoj të punoj me udhëheqës të tjerë dhe zyrtarë të tjerë për këtë”, ka shkruar Rama në X.
Para se të shkojë në Paris, Rama tha se do t’i bashkohej udhëheqësve të tjerë botërorë në Paris për të diskutuar mënyrat se si mund të ndihmohet popullsia civile dhe me shpresë se mund t’i jepet fund konfliktit në Gaza.