Kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm në Beograd për takimet e radhës për “Open Balkan” që pritet të zhvillohen sot dhe nesër.
Pas dorëheqjes së Zoran Zaev nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, zyra e kryeministrit ka konfirmuar për Euronews Albania se nuk ka asnjë ndryshim plani për takimin e sotëm. Zaev do të zëvendësohet nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov.
Një ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vuri në dyshim zhvillimin e takimeve në Beograd.
“Mbështetje e fortë “Open Balkan”. A duhet të mbajmë apo shtyjmë një takim në Beograd, duke marrë parasysh ngjarjet në Shkup?”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Open Balkan” është një nismë mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, e njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik. Nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë pranuar të hyjnë.
Në fund të muajit korrik liderët, Rama, Zaev dhe Vuçiq firmosën 3 marrëveshje: Memorandumin e Mirëkuptimit për Lehtësimin e Importit, Eksportit dhe Lëvizjes së Mallrave në Ballkanin Perëndimor, marrëveshjen Bashkëpunimit për Mbrojtjen dhe Shpëtimin nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe memorandumin për lëvizjen e tregut të punës në rajon, lidhur me lejen e qëndrimit të përkohshëm. /GazetaSinjali/