Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha për gazetarët se nuk do të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar.
“Nuk ka arsye të ketë ndryshime në kabinet. Takimin e bëmë për agjendën e kongresit të Partisë Socialiste, statutit të PS dhe në kongres do të paraqesim rezultatet e këshillimit kombëtar. Është një proces që për fat të keq pati një interferencë nga kriza e krijuar nga lufta në Ukrainë”, tha Rama pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.
I pyetur nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën për zgjedhjen e presidentit të ri, Rama u përgjigj: “Unë flas për të gjallët, ju flisni për të vdekurin”.
Mandati i presidentit skadon më 24 korrik dhe për zgjedhjen e tij, në Kuvend nevojiten edhe votat e opozitës, kontrollin e së cilës tashmë e ka marrë Komisioni i Rithemelimit.