Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në një video me rrëfimet të disa pacientëve, të infektuar me koronavirus, të shtruar në spitalin Infektiv.
Këtë video ai e ka publikuar në rrjetin social Facebook, me përshkrimin “Kur përballesh me vendimin e gabuar për të refuzuar vaksinën”. Me këtë përshkrim Rama iu referua deklaratave prekëse të pacientëve.
“Në familjen time janë të gjithë të vaksinuar, përveç meje sepse ajo ishte zgjedhja ime, dhe kjo zgjedhje e gabuar më çoi këtu ku jam. Të gjithë të rinjtë duhet të vaksinohen pa përjashtim”, shprehet një i ri, në këtë video.
Rama vazhdon të bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19, ndërsa ai vetë tashmë është vaksinuar me dozën e tretë përforcuese kundër koronavirusit.