Marrëdhëniet shqiptaro-greke, marrëveshja e detit e vitit 2009 dhe arritja e një pakti te ri, kanë qenë pikat kryesore të një intervistë që ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në stacionin televiziv grek MEGA.
Rama ka thënë se Shqipëria ka kaluar midis një përvoje absurde tipike ballkanike dhe klasike të një patriotizmi të rremë, e cila thotë se ndezi formën më ekstreme të zjarrit, pas fjalimit të kryeministrit grek në parlament, gjatë diskutimit të marrëveshjeve detare me Italinë dhe Egjiptin për zonat detare.
“U bë një diskutim në lidhje me të drejtën e vendit për të zgjeruar ujërat territoriale në 12 milje. Rasti midis Greqisë dhe Shqipërisë është i veçantë, sepse të dy vendet nuk mund të kryejnë zgjerimin e tyre në mënyrë të njëanshme, pa një marrëveshje midis tyre, sepse natyrisht një gjë e tillë nuk është e mundur”, theksoi Rama në medium grek.
Kryeministri i Shqipërisë ka përsëritur qëndrimin e tij se Shqipëria dhe Greqia duhet të arrijnë në një marrëveshje, duke ua treguar vendin patriotëve dhe nacionalistëve të çmendur dhe të rremë në të dy vendet siç i ka quajtur ai. Një nga mënyrat për të arritur këtë, sipas tij, është një marrëveshje e mirëbesimit duke ngritur çështjen në një gjykatë ndërkombëtare me një rezultat objektiv.
Rama është pyetur edhe për miqësinë e tij me presidentin Erdogan, nëse ai ka ndërhyrë për marrëveshjen e detit të vitit 2009, si dhe për konfliktin e sotëm greko-turk.
“Jam krenar që jam miku i Erdoganit. Kurrë nuk u përpoq të më thoshte diçka për këtë çështje. Ishte një problem prej vitit 2009 që duhej të zgjidhej. Mund ta zgjidhim. Greqia dhe Turqia janë mjaft të pjekura për të zgjidhur çështjen vetë. Secili prej vendeve ka këndvështrimin e tij, i cili padyshim që është në kundërshtim me tjetrin, por të dy kanë aq shumë për të fituar nga zgjidhja e çështjes”, theksoi Rama.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare udhëheqësit e paaftë fajësojnë njëri tjetrin, ndërsa burrat e mëdhenj i zgjidhin problemet. Ai ka mohuar gjithashtu se minoritetit grek po i shkelen të drejtat në Shqipëri, duke shpjeguar se problemet me të cilat ky minoritet përballet janë po aq të zakonshme sa ato të gjithë shqiptarëve, ndaj ka sugjeruar atë që kryesisht mungon sipas tij në vendet e Ballkanit në këto raste – durimi./Gazeta Sinjali/