Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke zhvilluar viziten e tij në Mal të Zi, ku pas takimit me kryeministrin në detyrë, Dritan Abazoviq ai para gazetarëve ka folur edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai kryesisht foli për raportet mes tyre, ku deklaroi se me të njëjtin nuk ka asnjë problem personal.
“Në mënyrën më asbolute s’kam asnjë problem personal e aq më pak problem institucional me kryeministrin e Kosovës. Kam vetëm qëndrime të kundërta me një sitautë të caktuar”, tha ai.
Tutje, Rama tha se me Kurtin, situatën aktuale e përjetojnë dhe duan ta trajtojnë në mënyra të ndryshme, teksa shtoi se në Samitin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë, Kurti do të jetë i ftuar.
“Unë e përjetoj si një situatë që duhet trajtojmë së bashku duke u ulur e biseduar, ndërsa Albini do që ta trajtojë pa u ulur dhe pa u takuar”.
“Unë thjeshtë thashë dhe përsëris që në takimin e Tiranës, pavarësisht se cili është qëndrimi i BE-së dhe vendeve të tjera, për Procesin e Berlinit, kryeministri i Kosovës do të jetë i ftuar dhe dua që ne të jemi të gjashtit aty, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar në vende të tjera. Në Tiranë, Albin Kurti është në shtëpinë e vet, madje mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë”, tha Rama.