Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pak ditë më parë ka propozuar draftin e Shqipërisë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Ai sot gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media, tha se draft-statuti i propozuar nga ana e tij për Asociacionin nuk është i bërë nga ai, por sipas tij, për të kanë punuar ekspertët e nivelit më të lartë botëror.
Gjithashtu, ai shtoi se është e pritshme që qeveria serbe edhe mos të ketë dëshirë as ta shikojë propozimin e tij, por që nuk e priste që mos ta shikojë as qeveria e Kosovës.
Ai sugjeroi qeverinë e Kosovës që ta shikojnë këtë propozim të tyre, sepse siç u shpreh ai “është propozim TOP”.
“Qeveria e Kosovës të thotë okej, ta shohim, çfarë problemi ka? Merre shihe një herë, se s’dihet. Mund të jetë komplet kot, por iu sigurojë se është TOP, se nuk e kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertë të nivelit më të lartë botëror. Dhe faktikisht, ata që e kanë marr në Paris, Berlin, Bruksel, Washington kanë vetëm fjalë të mira”, përfundoi Rama.