image Rama “non grata” në Kosovë? Nuk mori pjesë në dy ceremoni të rëndësishme

Kosovë

Hatërmbetja/ Rama “non grata” në Kosovë? Nuk mori pjesë në dy ceremoni të rëndësishme

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk mori pjesë në dy përkujtimore të rëndësishme në Kosovë si masakra e Reçakut dhe falenderimi për shqiptarët që ndihmuan në kohën e luftës. Si ra “patriotizmi” i Ramës në një vit dhe nismat e kundërshtuara si: Korrigjimi i kufijve; Minishengeni Ballkanik dhe padia për shpifje ndaj Haradinajt.

Më 15 janar, ndërsa mbahej përkujtimi i 21-vjetorit të masakrës së Reçakut, për nder të 45 viktimave të pafajshme që u masakruan nga ushtria dhe paramilitarët serb, lajm bëri kush mungonte dhe jo kush kishte ardhur. Vetëm kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në atë përkujtim. Shteti shqiptar përfaqësohej nga kreu i shtetit Ilir Meta dhe ministri i Diasporës Pandeli Majko. Po Rama përse nuk mori pjesë?

Mund të mos ketë pasur ftesë, por edhe në mungesë të saj, përkujtimore të tilla nuk kanë nevojë për kaq detaje protokollare. Shpejt do binte një “pretekst” ftese si “argument” nga skutat e piarit pranë kryeministrit tonë, pasi vetëm dy ditë më parë, në një tjetër përkujtimore u mbajt në Prishtinë Rama ishte i ftuar publikisht, por nuk u duk në Kosovë.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në mënyrë publike u drejtoi ftesa të gjithë autoriteteve shtetërore në Prishtinë dhe Tiranë që të merrnin pjesë në takimin e mirënjohjes për Shqipërinë që i erdhi në ndihmë vëllezërve kosovarë, në ditët e vështira të luftës në vitet 1998-1999.

Në takime u shfaqën liderët e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, fituesi i zgjedhjeve dhe i mandatuari si kryeministër i ardhshëm, Albin Kurti, si dhe drejtues të institucioneve kryesore në Prishtinë.

Aktiviteti zhvillohej për Shqipërinë dhe në këtë tryezë ftesës ju përgjigj Presidenti Ilir Meta, Ministri i Diasportës dhe ish-kryeministri gjatë kohës së Luftës së Kosovës, Pandeli Majko. Rama mund të donte të shfaqej sa për të rregullur imazh, por ajo që ka ndodhur në muajt e fundit, minimalisht e bën shumë të padëshirueshëm në Kosovë.

Nuk është fjala vetëm për afrimin e dukshëm të tij me presidentin serb Vuçiç, në nismën për “Minishengenin Ballkanik”, por për një konflikt të hapur veçanrisht me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj. Është rast unikal i historisë njerëzore, por edhe politike mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku një kryeministër padit “vëllanë” përtej kufirit për akuzën e shpifjes.

Ndarja për “korrigjimin e kufijve”

Përplajset me Ramush Haradinajn janë disi të hershme, para dhe pas Samitit të Berlinit të mbajtur një vit më parë. Në atë samit, u “varros” përfundimisht ideja e “korrigjimit të kufijve” mes Serbisë dhe Kosovës, që në thelb të saj synonte kalimin e Mitrovicës së Veriut nën Serbi dhe Kosova merrte një pjesë të Luginës së Preshevës.

Për këtë haraç të rrezikshëm, Serbia detyrohej të njihte Kosovën, por me koston e rëndë të prekjes së kufijve, çka do të thonte copëstim të territoreve. Faktori ndërkombëtar, veçanrisht BE, e përfaqësuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e kundërshtuan duke e konsideruar një nismë me rrezik për të gjithë Ballkanin, që mund të hapte rrugën për nisjen e konflikteve etnike dhe pretendimeve territoriale.

Ideja e “korrigjimit të kufijve”, u hodh në tregun politik dhe publik nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili mori mbështetjen direkte të kryeministrit Edi Rama dhe të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, por hasi në rezistencën e fortë të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të opinionit publik dhe politik, në Shqipëri dhe Kosovë. Nën këtë përplasje të dukshme, erdhi Samiti i Berlinit, në prill 2019 ku Haradinaj shkoi si i “preferuar” i Merkel dhe Makron, i cili rrëzoi “korrigjimin e kufijve”, por iu kërkua që të hiqte taksën 100 % për mallrat serbe.

Këtu futet në “lojën e pisët” sipas Haradinajt, kryeministri Edi Rama, i cili për të fituar kredo para Merkel dhe Makron, u bë në një mend me ta duke i kërkuar Haradinajt që të pranonte propozimin për heqjen e përkohëshme të taksës për mallrat serbe. Këtu nisi përplasja e hapur me deklarata dhe kundërdeklarata të cilat kulmuan me akuza të ndërsjellta dhe hakërrim të Ramës që shprehej se do ta padiste për shpifje Haradinajn.

Minishengeni dhe padia e Ramës

Konflikti mes Ramës, Haradinajt apo gjithë politikës kosovare kulmoi në tre muajt e fundit, pas nismës së treshes Rama-Vuçiç-Zaev për “Mihishengenin Ballkanik”, e cila u kundërshtua haptaz nga Kosova, që refuzoi këtë iniciativë me argumentin se i jepte fuqi të madhe ekonomike dhe politike serbisë.

Gjithashtu edhe Mali i Zi dhe Bosnja e shohin me skepticizëm marrëveshjen që nëse arrihet i hap rrugë tregtisë dhe lëvizjes së lirë të njerëzve në të gjithë vendet nënshkruese të kësaj marrëveshje e cila është ende në fazën e përgatitjes. Në Kosvovë Rama po etiketohet masivisht si “tradhtar”, ndonëse ky epitet dhemb shumë. Ai po ndjek një politikë konfliktuale dhe e ka çuar situatën gati në një “luftë të ftohtë” mes dy vendeve mes Prishtinës dhe Tiranës zyrtare.

Gjendja ka agravuar më tepër më 15 janar ku ndërsa përkujtohej masakra e Reçakut Rama jo vetëm nuk mori pjesë, por gjeti atë ditë të kobshme për Kosovën që të lajmëronte se sapo kishte regjistruar padinë për shpifje kundër kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.

Në Kosvë Rama është i padëshiruar, jo vetëm nga elita politike por edhe qytetarët të cilët reaguan masivisht kundër pas vizitës së presidentit serb në Shqipëri, ku mori pjesë për takimin e tretë për “Minishengenin Ballkanik”. Korrespondoi gjithçka keq për Ramën, pasi vetëm një javë para se Vuçiç të pritej me nderime nga kryeministri Edi Rama, ai kishte deklaruar se “Masakra e Reçakut ishte një sajesë e ish-ambasadorit të OSBE, Uollker”.

Pritja me nderime e Vuçiç, mosreagimi i Ramës për masakrën e Reçakut, padia ndaj kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj dhe nisma e “Minishengenit Ballkanik” janë shumë arsye që sot Rama të konsiderohet gati zyrtarisht si “Non grata”. Tashmë pas dy përkujtimoreve të martën do të jetë një tjetër ceremoni ku Rama sërish pritet të mos marrë pjesë, është 14-vjetori i ndarjes nga jeta të liderit politik të Kosovës ish-presidentit Ibrahim Rugova.