Në njëvjetorin e luftës në Ukrainë, Komuna e Prishtinës ka mbajtur seancë solemne në mbështetje të popullit ukrainas..
Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të Ukrainës, ndërsa u kërkua që bashkësia ndërkombëtare ta ndihmojë këtë shtet.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, tha se populli i Kosovës me atë të Ukrainës kanë ngjashmëri. Tha se të dyja popujt vuajnë nga politikat ruso-serbe.
“Këta gazetarë shumë të shquar ukrainas kanë ardhur në Kosovë. Ne shqiptarët e Kosovës e kuptojmë dhimbjen nëpër të cilën po kalojnë populli i Ukrainës. Populli ynë dhe populli ukrainas vuajmë nga politika ruso-serbe. Edhe Kosova dhe institucionet e saj kanë intervenuar disa herë me sukses. Jam i lumtur se tani Kosova ka institucione që e sigurojnë çdo qytetar”, tha Kupina.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përshëndeti përzemërsisht gazetarët ukrainas që janë duke u strehuar në Kosovë teksa shtoi se është kënaqësi që kryeqyteti të jetë vend nikoqir për ta.
“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që kryeqyteti është nikoqir i këtij grupi të gazetarëve ukrainas që po kalojnë një gjendje të rëndë si pasojë e Rusisë. Ky agresion ka sjell dhimbje, dëbim e edhe viktima nga Ukraina ku miliona ukrainas kanë ikur nga vendi i tyre për t’i ikur luftës”, u shpreh Rama.
“Gra, fëmijë e pleq janë detyruar me u arratisë jashtë vendit me i shpëtu agresionit. Po ndëshkohet një popull paqësor, po ndëshkohet veç pse duan me ndjekë rrugën e Evropës. Rusia nuk ka hyrë në luftë veç me Ukrainën, me agresionin e saj ajo po e pengon të gjithë botën.
“Duhet përshëndetur bashkësinë ndërkombëtare për të mbrojtur ukrainasit. Në këtë luftë ju nuk jemi vetëm, ata nuk janë vetëm, e tërë bota e lirë është me ta. Ne nuk duam e as mundemi me heshtë kur tërë bota është në rrezik. Ne do të ngrihemi kundër të ligës do t’i them. Le të qëndrojmë me popullin ukrainas dhe të tregojmë për luftën e tyre të drejtë. Le të bashkohemi sot në këtë sallë duke bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare, që të ndihmojnë në këtë luftë”.
Rama, mes tjerash, tha se Kosova bashkëndjen me Ukrainën pasi kujtesa e luftës së fundit është e freskët.
“Po ndëshkohet një popull paqësor veç pse dëshiron të ndjek orientimin properëndimor, populli i Kosovës e ka kujtesën e freskët të ushtrimit të dhunës nga pushtimi serb nga lufta e fundit në Kosovë dhe bashkëndjejmë me popullin e Ukrainës. Duhet të përshëndetur koordinimin e bashkësisë ndërkombëtare karshi Ukrainës në luftën e drejtë vetëmbrojtëse” tha Rama.