Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron në Prishtinë, në vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së mandatit të tretë në krye të Qeverisë së Shqipërisë.
Ai në një konferencë për media ka thënë se Serbia është duke kryer manovra teatrale në veri.
“Nuk ka asnjë diskutim se në radhë të parë dhe mbi të gjitha, është Serbia ajo që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm, dhe është vërtetë për të ardhur keq, që në vend të përparimit konkret të dialogut drejt njohjes reciproke dhe çlirimit përfundimtar nga e shkuara, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë, në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”
“Ato manovra nuk mbrojnë në fakt qytetarët serbë në Veriun e Kosovës, sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje edhe disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës, më shumë se 20 vjet më parë, që sikur kanë dalë nga varri, me pretendimin që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë”, ka deklaruar Rama.