Në mbledhjen e dy qeverive që është duke u mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se ambicie e dy shteteve do të jetë heqja e kufirit.
“Nëse i referohemi mbledhjes në Pejë të gjitha dokumentet janë në proces zbatimi ose ato kanë përfunduar. Kontrolli në Morinë funksionon në parimin e një pikëkalimi, një kontroll. Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të katër lirive të Bashkimit Evropian në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta, heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme që Ministria e Punëve të Brendshme e dy shteteve të krijojnë punën për të krijuar databazën për të krijuar hyrje-dalje në kohë reale që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimentër në frontin kundër aktiviteve të paligjshme”, ka thënë Rama.
Sipas Ramës, marrëveshja që porti i Durrësit të jetë defakto edhe port i Kosovës, do të firmoset së shpejti.
“Marrëveshja që së shpejti do të firmosim për të lehtësuar procedurat doganore mes dy shteteve na çon në destinacion, shndërrimin e portit të Durrësit në një port defakto të Kosovës”, ka thënë Rama. / Gazeta Sinjali /