Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar një takim me kancelaren gjermane, Angele Merkel në Berlin.
Mbështetja për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit dhe Konferenca e Donatorëve në muajin e ardhshëm, ka qenë në fokus të takimit, pa anashkaluar edhe zhvillimet e tjera, raportojnë mediat e Shqipërisë.
Mësohet se Merkel ka siguruar pjesëmarrjen në Konferencën e Donatorëve për të mbështetur Shqipërinë në këtë kohë të vështirë, ndërsa është shprehur optimiste për negociatat e Shqipërisë në pritje të mbledhjes së ndërmjetme që do të bëhet në muajin mars.
“Ne duam që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së, është në interesin e këtyre shteteve dhe në interesin tonë”, citohet të ketë thënë Merkel.
Vlerësim ka dhënë edhe për progresin, që sipas saj është bërë në lidhje me reformën në drejtësi.
Nga ana e tij, Edi Rama ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen gjermane, ndërsa e siguroi atë për vijim të reformave.
“Roli juaj personalisht dhe i Gjermanisë ka qenë i jashtëzakonshëm për bashkëpunimin rajonal. Dëshiroj të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën se si ka nisur puna e Komisionit të ri Europian. Do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe për të gjithë rajonin”, citohet se është shprehur Rama./Gazeta Sinjali/