image Rama: Mosanëtarësimi i Ballkanit në BE, i rrezikshëm

Shqipëri

Rama: Mosanëtarësimi i Ballkanit në BE, i rrezikshëm

news image

Mosanëtarësimi i Shqipërisë në BE është i rrezikshëm për vetë Bashkimin Evropian.

Tezën e tij kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e vë në dukje edhe për qytetarët evropian në një intervistë për gazetën gjermane, Die Welt.

I pyetur nëse  zvarritja e procesit të anëtarësimit, vjen si rezultat i luftës ndaj korrupsionit dhe renditjen e Shqipërisë ndër vendet e fundit nga Transparency International, kreu i qeverisë merr si kundërargument digjitalizimin dhe reformën në drejtësi.

“Nuk i besoj kësaj transparence, sido që të jetë, asnjë sekondë. Ne kemi bërë kaq shumë përparim. Vetëm një shembull: Shqipëria ka dixhitalizuar tashmë 95 për qind të shërbimeve të saj. Kur u futa në politikë, asnjë shërbim nuk menaxhohej në mënyrë dixhitale. Njerëzit duhej të qëndronin në radhë për orë të tëra për të marrë një dokument. Gjithçka ishte e korruptuar. Si ka mundësi që kjo ecuri të mos përmirësojë renditjen tonë? Le të mos harrojmë edhe reformën tonë në drejtësi”.

Ndikimin rus në Ballkan e sheh me rrezik. Por mohon që “Ballkani i Hapur” të rrezikohet nga afrimi i Serbisë me Rusinë.

“Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi. Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë”.

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria në asnjë rast nuk do të heqë dorë në përpjekjet e saj për anëtarësim në bashkimin Europian, duke ruajtur gjithmonë orientimin perëndimor, raporton TVKlan.

/GazetaSinjali/