Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dalë në mbështetje presidentit Hashim Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit pas aktakuzës së ngritur nga Specialja që i përfshinë ata në një sërë krimesh të luftës.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Rama tha se udhëheqësit e UÇK-së shkruan historinë e pandryshueshme të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Përballë historisë, as Thaçi, as Veseli, as Haradinaj dhe asnjë prej krejt të akuzuarve nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare, ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë, duke i dhënë asaj pandryshueshmërinë e mundshme në jetë të jetëve, si histori e çlirimit të asaj pjese të pandashme të kombit shqiptar, që quhet Kosovë”, tha Rama.
Pjesë nga fjala e Ramës në Kuvendin e Shqipërisë:
Në fund të ditës, ai tekst indinjues që nuk është aktakuza në vetvete, por është vetëm një prelud i pakuptueshëm në aspektin juridik, të procedurës së një drejtësie të drejtë, një prelud mediatik i një procesi, që më pas vijon, por që ngre një varg pikëpyetjesh të rënda, jo vetëm lidhur me pastërtinë e udhëheqësve politikë, por mbi vetë kauzën e luftës së UÇK. I kam lexuar edhe ata që e mbështesin atë njoftim. Dua shumë të besoj se duke mos qenë as nga Kosova, as nga Shqipëria, nuk kanë mundur ta ndjejnë se sa thellë dhe padrejtësisht ato fjalë të hedhura në eterin e botës digjitale prekin dhe prekin për faktin se tashmë udhëheqësit e UÇK janë thuajse të tërë të akuzuar në 21 vjet me radhë si individë me dy koka, që nga një anë kanë udhëhequr luftën clirimtare dhe nga ana tjetër kanë ngrënë njerëz, fëmijë, romë, si kanibalë.
Përballë historisë, as Thaci, as Veseli, as Haradinaj dhe asnjë prej krejt të akuzuarve nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare, ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë, duke i dhënë asaj pandryshueshmërinë e mundshme në jetë të jetëve, si histori e çlirimit të asaj pjese të pandashme të kombit shqiptar, që quhet Kosovë. Na duhet të bëjmë një hulumtim të shpejtë në kujtesë për ta sjellë tani në vëmendje se është faji i tyre që u trondit ndërgjegjja tërësisht e fjetur e perëndimit, e botës së qytetëruar, në raport me Kosovën. Është pikërisht falë tyre dhe falë atij grupi djemsh, që i hynë detit në këmbë, duke pasur gjithë botën kundër dhe jo derë po asnjë vesh të hapur në kërkim të asaj që sot duket Kosova e pavarur. /Gazeta Sinjali