Në konferencën përmbyllëse të Samitit të Berlinit në Shqipëri, kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo ditë shkoi përtej çdo parashikimi, në mënyrë pozitive.
I pozicionuar në qendër të dy liderëve evropianë, Von der Leyen dhe Scholz, Rama shprehu mirënjohjen e madhe ndaj tyre, duke theksuar se në këto kohë të vështira për kontinentin është thelluar miqësia e bashkëpunimi mes vendeve.
“I jam mirënjohës Zotit dhe BE-së që u siguruan që kjo ditë të niste me një diell të mrekullueshëm dhe të mbyllej me një fllad të këndshëm. Samiti u mbyll me diskutime mjaft të frytshme, me shkëmbime vërtet të hapura dhe një ndjenjë të vërtetë miqësie. Nuk do gjeja dot kurrë fjalët e duhura për të falënderuar kancelarin që në mënyrë kaq të hijshme ishte i hapur për ta sjellë procesin në Tiranë dhe nuk do gjeja fjalët e nevojshme për të falënderuar Presidenten e Komisionit për planin e BE për Ballkanin Perëndimor. Ky është një moment i vështirë për çdokënd për shkak të krizave të njëpasnjëshme për të gjithë ne, qoftë Evropë me B apo Evropë pa B.
Në të njëjtën kohë, është farkëtuar miqësia jonë, bashkëpunimi jonë dhe falë udhëheqjes së BE ajo çfarë ka ndodhur është shfrytëzuar për të parë më parë me besim të madh te Ballkani Perëndimor. Këta dy gjermanë krah meje kanë orare, afate, avionë për të marrë e gjëra për të bërë kështu që nuk dua të marr nga koha e tyre sepse nuk ndodh çdo ditë që të kemi nderin t’i presim. Jam i sigurt se ajo që do thonë ata janë më të rëndësishme se ajo që do them unë, jam i gatshëm për pyetje nëse më drejtohen. Kancelarë pranoni shprehjen e mirënjohjes time për gjithcka po bëni për ne, jeni një fuqi mbresëlënëse që këmbëngulni për t’i shtyrë BE dhe BP për të qenë më afër me njëri-tjetrin”, deklaroi Rama.