image Rama: Jemi kundër deklaratës së BE, derisa të pasqyrohen zhvillimet në veri të Kosovës

Politikë

Rama: Jemi kundër deklaratës së BE, derisa të pasqyrohen zhvillimet në veri të Kosovës

news image

Qëndrimi i Shqipërisë kundër deklaratës, të cilën Bashkimi Evropian përgatiti për çështjen e dialogut Prishtinë Beograd, nuk do të ndryshojë, për sa kohë unioni nuk pasqyron ngjarjet e rënda në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagos një tjetër.

Ky qëndrim ynë nuk është pritur mirë nga Brukseli, u shpreh kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, por “nuk do të ndryshojë pa dalë deklarata që ne presim”. Sipas kryeministrit, para se të japë votën kundër, Shqipëria ka kërkuar nga unioni që në deklaratë të reflektohej sulmi në Banjska të Zveçanit. Por, kërkesa është refuzuar, pasi tashmë “të gjitha vendet e unionit kishin rënë dakord për deklaratën mbi dialogun Kosovë-Serbi.

“Për herë të parë, në të paktën 10 vitet e funditt, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së Jashtme të BE-së. Ky fakt ka shkaktuar një përshtjellim.

Jemi përpjekur që pardje që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike të ditëve të fundit, konkretisht vrasjes e Afrim Bunjakut dhe shpalljen e zisë në Beograd për vrasjen e sulmuesve. Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë, pasi deklarata ishte konfirmim i vendeve anëtare të BE-së i qëndrimit të Borrel pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kemi theksuar domosdoshmërinë që publikimi i kësaj deklarate duhet të bëhej njëkohësisht, apo të paktën të pasohej nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme. Na u tha se kjo është e pamundur momentalisht dhe deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë të gjithë mbështetjen e vendeve anëtare të BE.

Ky qëndrim ynë nuk është pritur mirë nga Brukseli. Jemi të keqardhur për këtë, por qëndrimi ynë nuk ndryshon. Jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim. Ky qëndrim ka të bëjë me zhbalancimin total që deklarata e djeshme shkakton në këtë moment dramatik”, tha Rama.

/GazetaSinjali/