image Rama 'ia heq merakun' Kurtit, ia dorëzon Kosovës 13 marrëveshjet e nënshkruara

Politikë

Rama ‘ia heq merakun’ Kurtit, ia dorëzon Kosovës 13 marrëveshjet e nënshkruara

news image

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se Qeveria shqiptare ka nënshkruar 13 marrëveshjet e përbashkëta me Qeverinë e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Rama ka thënë se marrëveshjet që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive shqiptare do hyjnë në fuqi posa të firmosen edhe nga Kosova.

Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi”, shkroi ai.

Më tej Rama ka thënë se pret që tashmë të konfirmohet edhe takimi me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, i cili dje deklaroi se derisa të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverive, nuk do të takohet me homologun shqiptar.

Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shkroi më tej kryeministri i Shqipërisë.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar agjendën e takimeve që do t’i nis sot në kuadër të turit të tij ballkanik. Kjo në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

Sot ai do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë ku do të ketë takim me presidenten Vjosa Osmani, e kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ndërkohë, në axhendën e publikuar nga ai, shihet se takimi me Kurtin ngelet në pritje.

Ndërkaq nesër ai do të vazhdojë turin e tij fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe vizitën do ta përmbyllë në Serbi.

Rama ka konfirmuar se në Serbi do të takohet me presidentin Aleksadër Vuçiq.

Me Vuçiqin, Rama do të mbajë edhe konferencë për media.

E pas konferencës ata do të kenë edhe darkë pune me delegacionet.

/GazetaSinjali/