Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk e ka quajtur “tinëzak” kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.
Në një reagim në Twitter, Rama e ka etiketuar Mustafën duke i thënë se ka rënë pre e titujve dhe se nuk ka thënë se kanë biseduar bashkë për “mini-Shengenin” në tryezat e Berlinit, shkruan Gazea Sinjali.
“@IsaMustafaKS ja kështu është kur njeriu bie pre e titujve të deformuar, sepse unë s’e kam thënë e as kam menduar të të quaj “tinëzak”! Ashtu sikundër nuk kam thënë që është folur për “miniShengenin” në tryezat e procesit të Berlinit, përkundrazi e kam shpjeguar qartë edhe këtë..”, ka shkruar Rama.
Paraprakisht, kreu i LDK-së i reagoi kryeministrit të Shqipërisë, duke sqaruar se me të nuk e kanë diskutuar asnjëherë “mini-Shengenin”.
“Kryeministri Rama në T7 më cilesoi si politikan tinëzak. Unë nuk dëshiroj ta cilësoj, ashtu siç e meriton, sepse është Kryeministër i Shqipërisë. Por, në asnjë rast nuk kemi biseduar me te dhe me të tjerët për Minishengenin, sa isha Kryeministër. Kemi biseduar për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për Tregun e Përbashkët të këtyre vendeve. Në emër të Kosovës i kam kundërshtuar në të gjitha takimet. I ka kundërshtuar edhe Mali i Zi.
Jemi pajtuar në Procesin e Berlinit për Hapësirën e Përbashkët Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Mustafa. /Gazeta Sinjali/