Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke vazhduar fjalën e tij në Këshill të Evropës nga ku edhe po rendit argumentet kundërshtuese dhe demantuese për librin e Carla Del Ponte dhe raportit të Dick Martyt me pretendime për krime lufte.
Ai tha se Hashim Thaçi u arrestua si president i Kosovës dhe u largua me dinjitet duke i besuar drejtësisë ndërkombëtare.
“Dhomat e Specializuara arrestuan presidentin Hashim Thaçi. Vini në lëvizje imagjinatën dhe imagjinoni kryeministrin ose presidentin tuaj që merret nga zyra e tij dhe vihet nën arrest pa asnjë aktakuzë zyrtare” theksoi Rama.
Ai përmendi Joe Bidenin që e quante Thaçin, George Washingtoni i Kosovës.
“Presidenti Thaçi u largua me dinjitet nga zyra. E vendosi veten në dispozicion të drejtësisë sepse në fund të fundit për drejtësinë e kish vënë jetën në rrezik. Është ende atje në Hagë një Jozef K. i gjallë, krijuar nga një lajm i rremë, që u përhap si mortajë dhe ndikoi politikën e institucionet ndërkombëtare”, tha Rama në Strasburg.
Ai tutje e krahasoi ish-presidentin Thaçin me Jozef K, personazhin e Franc Kafkës te romani “Procesi”, duke e krahasuar arrestimin e tij të njëjtë me karakterin e shkrimtarit, pa kuptuar se pse ishte arrestuar.