image Rama flet pas takimit me Merkel: Zëri i Gjermanisë në favor të Shqipërisë

Rajon

Negociata/ Rama flet pas takimit me Merkel: Zëri i Gjermanisë në favor të Shqipërisë

news image


Pas takimit që zhvilloi në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është prononcuar për media se çfarë ka deklaruar Merkel për procesin e hapjes së negociatave me BE-në.

Duke ruajtur konfidencialitetin formal të takimit, Rama është shprehur:

“Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë.”

Rama ka shtuar se, ky është një proces dhe Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut, nëpërmjet diskutimeve në grupe.

“Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që,  pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane”, thotë Rama.

Kryeministri sqaron se Shqipëria ka pak në dorë sa i përket vendimi të Këshillit Evropian për negociatat, gjithsesi, Tirana po punon që zëri i Gjermanisë të jetë në favorin tonë.

“Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të  vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Evropës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë”, shprehet Rama.

Në fund të deklaratës, Rama thekson se negociatat për Shqipërinë nuk do të ishin dhuratë, por ajo çfarë i takon. Ai flet për një proces të kushtëzuar që do e ndjekë Shqipërinë në çdo hap./Gazeta Sinjali/