Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pritjes së anëtarëve të Komisionit Olimpik Mesdhetar, tha se ata do ta mbështesin Kosovën për organizimin e Lojërave Olimpike Mesdhetare për vitin 2030.
Rama tha se në Lojërat e para Olimpike Mesdhetare që do të ndodhin në Shqipëri e Kosovë, do të jenë shumë krenarë për vendimin që tashmë është marrë.
“Ne jemi të angazhuar të mbështesim Kosovën, kandidaturën e saj për lojërat mesdhetarë të vitit 2030. Dhe siç u informova edhe nga presidenti i kësaj organizate, në lojërat e para olimpike që do të ndodhin në Shqipëri, në Prishtinë dhe në Durrës, do të jemi shumë krenar për vendimin që është marrë. E dimë që ky vendim nuk është shumë i lehtë për ju, por ju merrni vendime si njerëz të sportit se nëse do ishit njerëz të politikes nuk do ishte kaq e lehtë ta merrnit këtë vendim”, tha Rama, shkruan Euronews.
Më tej, kreu i shtetit shqiptar me shaka iu drejtua anëtarëve të këtij komisioni që të mos rrinë shumë në mbledhje, por të dalin e ta shijojnë Tiranën.
“Gjëja e fundit që unë doja të thoja, dhe në fakt kjo është një thirrje shumë serioze. Ju lutem shijojeni këtë vizitë në Tiranë, mos rrini shumë në këtë mbledhje, dilni dhe shikoni qytetin, është një ditë e bukur dhe në Tiranë tani ka një atmosferë shumë të mirë”, tha Rama.