image Rama: Do të kemi një rritje ekonomike mbi 6% vitin e ardhshëm

Shqipëri

Rama: Do të kemi një rritje ekonomike mbi 6% vitin e ardhshëm

news image

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se rritja ekonomike në Shqipëri për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 6%, shkruan Gazeta Sinjali.

“Për fat të mirë, mund t’ju them që nga eksperienca e këtyre viteve, parashikimet e bëra në kushte shtëpie, pra brenda qeverisë për rritjen ekonomike janë ato që janë më afër realitetit. Përgjithësisht unë besoj te ky trend. Kështu që ne nuk themi ndonjëherë që do të rritemi 12% vitin e ardhshëm. Mendoj që ne do të jemi rrotull 6% plus vitin e ardhshëm”, deklaroi Rama, gjatë një konference për shtyp.

Sa i përket buxhetit, kryeministri theksoi se ai do të jetë publik në ditët në vijim pasi ka marrë formë përfundimtare.

Lidhur me ndikimin në arkën e shtetit nga heqja e tatimfitimit dhe TVSH-së për bizneset e vogla nga janari 2021, kryeministri Rama informoi se “janë afro 40 milionë dollarë”.

“Efekti në buxhet është i konsiderueshëm, por ne besojmë shumë fortë se efekti në punësim dhe ekonominë familjare është i konsiderueshëm. Shteti merr përsipër shtrëngimin e vet në buxhet dhe biznesi i vogël merr një hov më shumë në punën e vet. Është afro 40 milionë dollarë”, tha Rama.

Ai shprehu po ashtu bindjen se “me procesin e digjitalizimit të transaksioneve, ne besojmë shumë se do të kemi më tepër se 40 milionë mbrapsht nga të bizneset e mëdha. Besojmë shumë në këtë skemë”. /Gazeta Sinjali/