Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka paralajmëruar një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidentin Serb, Aleksandër Vuçiç.
Në këtë takim, Rama thotë se do të diskutohet për heqjen e kufijëve mes këtyre dy vendeve.
Në një intervistë nga SHBA, kryeministri i Shqipërisë thotë se ka ardhur koha për të rritur më shumë bashkëpunimin.
“Unë jam shprehur më herët dhe për këtë kam marrë edhe akuza sepse gjithkush e ka dëgjuar idenë e ka lidhur me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, çka për mua mbetet një prioritet i një rëndësie shumë të veçantë, por i parë në një kontekst më të gjerë. Na është dhënë hapësira këtu që të jemi së bashku me Presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Maqedonisë dhe kemi rënë dakord që të takohemi së shpejti për të diskutuar mbi një hap të rëndësishëm bashkëpunimi mes të treja vendeve që nuk është përjashtues për vendet e tjera. Përkundrazi është një hap për të nxitur të tjerët që të bashkëpunojnë“, ka thënë ai.
Rama më tutje ka thënë se ky hap ka një rëndësi të madhe për të nëse në bazë të kësaj marrëveshje të mundshme është heqja e kufijve.
“Për mua ky hap ka një rëndësi të madhe nëse në bazë të kësaj marrëveshje të mundshme është heqja e kufijve, heqja e kufijve për njerëzit, për mallrat, për investitorët e mëdhenj.“
Ai ka thënë se së bashku mund të bëjmë shumë më tepër rrugë si rajon për të rritur ekonominë dhe mirëqenien e njerëzve./Gazeta Sinjali/