Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje liderëve të Ballkanit Perëndimor që të refuzojnë propozimet e fuqive të jashtme dhe të mbajnë besimin në ëndrrën e anëtarësimit në BE.
Rama tha se Shqipëria “nuk do të heqë dorë kurrë nga Evropa dhe nga BE-ja, cilado qoftë forma e BE-së në të ardhmen”. Por, duke folur për Financial Times, ai pranoi se ishte zhgënjyese pritja.
Ndërsa Rusia, Kina dhe Turqia të gjitha i afrohen rajonit, Rama tha se kërkuesit e tillë, të cilët ai nuk i përmendi, janë të papërshtatshëm.
“Të tjerët mund të sjellin para, investime, ndoshta edhe havjar, por nuk do të jenë në gjendje të sjellin atë që ju nevojitet për të ndërtuar një vend të lirë funksional”, tha ai.
Rama deklaroi se ishte i shqetësuar për rritjen e nacionalizmit në Bosnje, por se nacionalizmi në BE tani ishte një pengesë më e madhe për ambiciet e atyre në rajon, që të bashkohen me bllokun 27-anëtarësh.
Ai tha se BE-ja ende nuk është “shëruar” nga kriza e refugjatëve të vitit 2015, kur më shumë se 1 milion njerëz kërkuan azil në Evropë, kryesisht duke ikur nga lufta në Siri. Që atëherë, BE-ja është “shtyrë nga frika dhe jo nga aspiratat”, dhe qeveritë “të cilat nuk janë ekstreme në vetvete, janë të ndikuara nga ekstremet”.
“Shqiptarët kanë zhgënjimet e tyre me Brukselin, por kjo nuk e ndryshon bindjen se ne duhet të jemi atje. Ne i kemi konsumuar të gjitha historitë e dashurisë më parë dhe martesat”, shtoi ai në një referencë që nënkupton lidhjet fillimisht me Rusinë dhe më pas Kinën që Shqipëria kishte në epokën komuniste.
“Ne po kërkojmë një martesë të re, jo për të vjetrat. Por sigurisht, kjo lloj martese është e vështirë.”
I pari i Shqipërisë, në mandatin e tij të tretë, ka promovuar idenë e një tregu të përbashkët rajonal. Në përpjekje për të përshpejtuar procesin, Shqipëria, së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, nënshkruan disa nga dispozitat. Ai pranoi se tre shtete të tjera ngurronin.
“Boshnjakët, sepse ata nuk mund të vendosin për asgjë, me sa duket, malazezët sepse janë ende nën iluzionin se mund të hyjnë në BE vitin e ardhshëm dhe çdo vit tjetër bëhet viti i ardhshëm. . . Kosova për shkak të problemeve me Serbinë, të cilat mendoj se mund të trajtohen më mirë kur njerëzit të ulen dhe të bisedojnë.”/GazetaSinjali/