Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Ballkani i Hapur do të vazhdojë, pavarësisht dinamizmit të Procesit të Berlinit.
Ai ka theksuar se Ballkani i Hapur është një njësi jetësimi i Procesit të Berlinit, madje, bëri të ditur se janë duke punuar për përgatitjen e një samiti tjetër të Ballkanit të Hapur në Shqipëri.
Në mbledhjen e përbashkët për medie me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, Rama tha se Procesi i Berlinit nuk është i përjetshëm, ndërsa Ballkani i Hapur do të mbesë i tillë.
“Ne po përgatisim një tjetër samit të Ballkanit të Hapur në Shqipëri dhe jemi të kënaqur që ka dhe vende të tjera integrale të këtij procesi. Këtu kam parasysh, Turqinë, Greqinë, Hungarinë, Italinë, kam parasysh vende të cilat ishin të pranishme fillimisht në samitin e bërë më parë dhe që tani kërkojnë të jenë në vazhdimësi për të krijuar atë sinergji të nevojshme edhe me kufijtë rreth e rrotull nesh”, tha Rama.
Kryeministri Shqiptar më tej theksoi se i vjen jashtëzakonisht mirë po ashtu që ka rifilluar Procesi i Berlinit, ndër të tjera edhe sepse ka provuar se Ballkani i Hapur nuk është asgjë tjetër veçse një njësi jetësimi i Procesit të Berlinit.
“Çfarë kemi firmosur ne në Berlin? Kemi firmosur ato që ne i kishim firmosur më parë me njëri-tjetrin në Ballkanin e Hapur. Përse? Sepse marrëveshjet e Ballkanit të Hapur nuk janë asgjë tjetër veçse përshpejtim i Procesit të Berlinit. Në fund fare ne do të mbesim me “Ballkanin e Hapur”, pasi Procesi i Berlinit nuk është i përjetshëm, ndërsa Ballkani është i përjetshëm”, tha kryeministri Rama.