Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiq e ka takuar sot ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.
Rakiq dhe Abbott kanë biseduar për situatën e krijuar nga koronavirusi si dhe për rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi. Por si në takimet e mëparshme, as në këtë takim nuk u pa flamuri i Kosovës në zyrë, shkruan Gazeta Sinjali.
Mediat serbe raportuan se flamuri i Kosovës nuk po mbahet në zyrat e Rakiq, por këtë e ka mohuar Zyra e Kryeministrit në një përgjigje për Gazetën Sinjali.
“Zëvendëskryeministri Goran Rakiq nuk e ka hequr asnjë simbol të Kosovës, as flamurin, nga Zyra e tij. Çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga Protokolli i shtetit, prandaj secili zyrtar është i obliguar t’i përmbahet këtij protokolli”, thuhet në përgjigje.
Nga zyra e Hotit sigurojnë se simbolet e Kosovës janë edhe në zyrën e Rakiqit.
“Sa i përket rastit të përfolur në media, ju sigurojmë se simbolet janë aty ku kanë qenë dhe nuk ka pasur asnjë heqje të tyre”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së. /Gazeta Sinjali/