image Rahoveci bëhet me objekt të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare

Kosovë

Rahoveci bëhet me objekt të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare

news image

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se është përuruar objekti i ri i Qendrës së Mjekësisë Familjare, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se projekti i ka kushtuar komunës së Rahovecit rreth 918 mijë euro.

Sipas Latifit, objekti është 2200 m2 dhe ka 20 shtretër dhe 4 dhoma të intervenimit.

Postimi i plotë i Latifit, pa ndërhyrje:

Rahoveci me objekt bashkëkohor të Mjekësisë Familjare

Në prag të 28 NËNTORIT, nga sot, edhe një kulm shërbimi shëndetësor po i shtohet zinxhirit të objekteve shëndetësore në Rahovec. Është Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, që përuruam sot, hapësirat moderne të së cilës, kushtet e përshtatshme për punë, shërbimet shëndetësore të mjekësisë familjare, rentgenit, laboratorit dhe emergjencës të cilat, do t’ju ofrohen mbi 56 mijë qytetarëve të komunës së Rahovecit.

I nderuar që bashkë me mantelbardhët, Kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, drejtorin e DSHMS-së, z.Samir Mustafa, drejtorin e QKMF-së z. Jusuf Korenica si dhe me bashkëpunëtorë, hodhëm hapin e parë në këtë ndërtesë moderne në shërbim të qytetarëve, ku nevojat e tyre shëndetësore tashmë kanë një adresë të re.

Ky projekt i ka kushtuar komunës së Rahovecit rreth 918 mijë euro. Objekti është 2200 m2, ka 20 shtretër dhe 4 dhoma të intervenimit.

Ta gëzojnë qytetarët e komunës së Rahovecit dhe gjithë punonjësit shëndetësorë në Rahovec!

Gëzuar 28 NËNTORIN, i përjetësuar ndër shqiptarë!

Lavdi të rënëve ndër breza për lirinë e atdheut!

Urime!SL/Gazeta Sinjali/