image Rada Trajkoviq: U kërcënova edhe nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë

Politikë

Rada Trajkoviq: U kërcënova edhe nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë

news image

Rada Trajkoviq, kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve, ka konfirmuar se dje është kërcënuar nga ministri i Mbrojtjes të Serbisë, Millosh Vuçeviq, por ka thënë se nuk do ta citojë dhe nuk do të tregojë se çfarë i tha ai.

Trajkoviq, e cila ditë më parë bëri të ditur se po kërcënohet për shkak të dëshmisë së saj për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka thënë se situatë e njëjtë ka vazhduar edhe sot.

Në një intervistë për “RTK Prime”, mbrëmjen e së martës ajo deklaroi se po atë ditë u kërcënua nga ministri serb i Mbrojtjes, ndërsa konfirmoi sërish se kjo nuk është hera e parë që i ndodhë diçka e tillë.

“Ju e dini që në nuk jam për nga natyra e ndjeshme shumë. Munden ata që të më kërcënojnë sa të duan…nuk do të jetë as hera e parë. Kemi pasë vrasjen e Oliver Ivanoviq, nuk do të thotë kjo që mund të më frikësojnë, dhe mos të them…shtypja është e madhe, sot pata kërcënime edhe nga ministri i Mbrojtjes të Serbisë, i cili ndoshta është përzgjedhur që të respektojë dhe bashkëpunojë në nivel rajonal, luftës, kundër asaj që është rreziku më i madh, kriminaliteti dhe mafias”, ka deklaruar Trajkoviq.

Pyetur se çfarë kërcënimesh mori nga ministri serb, ajo u përgjigj se nuk do ta citojë, derisa tha se për Serbinë, Milan Radojçiq, nënkryetari i Listës Serbe që është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një “qytetar i zellshëm”.

“Mendoj që është një demonizim total…mos ta citoj prap, nuk dua ta citoj prap. Në anën tjetër, humanizimi i Radojçiq sikurse ai është më i miri, një qytetar i zellshëm, që është i rëndësishëm për shtetin serb. Nuk do të ia kishte pranuar as kryetari, dhe nuk do të ishte as pjesë e mbledhje të rregullta të Kuvendit”, ka deklaruar ajo.

Trajkoviq vlerëson se nuk do të ketë dalje në zgjedhjet në veri, të cilat presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka konfirmuar se do të mbahen më 18 dhjetor.

Trajkoviq në “RTK Prime” deklaroi se po atë ditë, është një festë e rëndësishme, dhe se kjo po përdoret edhe si arsyetim kundër zgjedhjeve, duke shtuar se veçse ka nisur kampanja.

“Jo, zgjedhje nuk do të ketë, sigurisht. Ndoshta, fatkeqsisht, edhe serbët, edhe shqiptarët, ne nganjëherë harrojmë edhe për festat tona, kështu që nuk mendoj që qëllimi i kryetares së Kosovës është që të organizojë zgjedhje, kur është edhe festa e rëndësishme, e Shën Nikollës. Ne ndonjëherë harrojmë edhe kur janë festat e shqiptarëve të fesë islame. Kjo veç ka filluar që të jetë kampanjë kundër zgjedhjeve”, ka thënë ajo.

Në fund, siç tha Trajkoviq, “ata serbë që do të donin që të dilnin në zgjedhje, nuk do të kenë guxim që ta bëjnë këtë”.

Vlen të theksohet se zgjedhjet në veri vijnë pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe kryetarëve të komunave atje, deputetëve dhe ministrit që bënte pjesë në Qeveri.

/GazetaSinjali/