“Replike” sonte organizon një proteste në të gjithë vendin ndaj situatës aktuale politike në Kosovë në kohë krize pandemie.
Qytetarët janë ftuar që sonte në ora 20:00 të dalin në dritare ose ballkone për 5 minuta dhe të bëjnë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si çelësa ose tenxhere dhe lugë.
E gjithë kjo për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës.
“Sot, qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballemi me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës. Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Sipas tyre, revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolike të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës, pasi gjatë viteve të 90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe. /Gazeta Sinjali/