Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni ka shpjeguar qëllimin e tij që ta shpëtonte Qeverinë Kurti në ditën e rrëzimit të saj.
Ai tha se të gjitha debatet e ditës së rrëzimit të Qeverisë Kurti në Kuvend ishte se kujt t’i mbetej faji, shkruan Gazeta Sinjali.
“Si duhet gjërat kishin shkuar shumë larg. Kishin shkuar aq larg sa të gjitha ato debate nuk ishin të karakterit se si të bëhet zgjidhja, por kush të lihet fajtor”, tha Quni.
“Unë u nisa nga ajo që kur është bërë koalicioni LDK-VV, kam qenë prej atyre që ka punuar shumë për t’u arritur ai koalicion, gjithmonë me bindjen që kur bashkohet LDK e VV mund ta luftojnë korrupsionin” , ka shtuar ai në T7.
Ai thotë se nuk ishte i autorizuar nga partia që të provonte negociatat me LVV-në, por shtin se deshi ta përdorte autoritetin e tij.
“Unë e përdora autoritetin tim privat, jo që isha i autorizuar. I bëra thirrja z. Kurti ta rishikojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut dhe cështjen që të rishikonte mbi thirrjet e SHBA-së në lidhje me taksën”.
Quni ka folur edhe për gjendjen në qeverinë ku ai është ministër pas rrëzimit të saj dhe pas acarimit të raporteve mes LDK-së dhe LVV-së.
“Të gjithë ministrat që kemi marrë përgjegjësitë nga LDK-ja jemi në një situatë që është e padefinuar dhe është bukur e sikletshme sepse jemi llogaridhënës ndaj autoriteteve të LDK-së që na kanë deleguar, por edhe ndaj qeverisë”, tha Quni. /Gazeta Sinjali/