Ministri i Mbrojtjes në detyrë dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka folur rreth ish-nënkryetares së këtij subjekti politik, Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Sinjali.
Quni i bëri thirrje Osmanit që të kthehet në LDK “nëse vërtet e bartë filozofinë rugoviane apo rugovizmin”.
Ai tha se nëse Osmani do të kthehej në LDK, ajo do ta kishte përkrahjen e tij të pa rezervë.
“Nëse Vjosa Osmani në shpirtin e saj, në edukatën e saj bartë filozofinë rugoviane, bart rugovizëm, çmon vlerat e LDK-së, personalisht i bëj thirrje që ajo t’i kthehet gjenezës, t’i kthehet Lidhjes Demokratike të Kosovës’’, tha Quni në T7.
Sipas tij, ajo mund të sfidohet në dy drejtime, të bëhet presidente që e ka të garantuar nga lideri i Vetëvendosjes, apo të kthehet në shtëpinë e saj.
“Ajo mund të sfidohet në dy drejtime, a dëshiron të bëhet presidente që e ka të garantuar nga z.Kurti apo dëshiron t’i kthehet shtëpisë së saj, për të cilën ajo ka thënë se është rrit brenda saj’’, theksoi ndër të tjera Quni. /Gazeta Sinjali/