image Quni: Nuk i jam gëzuar arrestimit të Thaçit dhe Veselit

Kosovë

Quni: Nuk i jam gëzuar arrestimit të Thaçit dhe Veselit

news image

Ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, njëherësh anëtar i LDK-së,  Anton Quni, thotë se nuk i është gëzuar arrestimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Specialja dhe uron që UÇK të vazhdojë ruajtjen e imazhit të mirë, pavarësisht ngjarjeve me Gjykatën Speciale.

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, flet edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në Kosovë, të ardhmen e tij politike dhe mundësinë e bashkëpunimit me Vjosa Osmanin.

Quni i cili vjet më parë kishte deklaruar që Thaçi e Veseli e kanë vendin në burg dhe se do të qëndrojë në politikë derisa të dy të i shoh prapa grilave, thotë se nuk i është gëzuar arrestimit të asnjërit prej tyre.

Ministri i Mbrojtjes, duke mos dashur të flas më shumë rreth kësaj çështje, për shkak të postit që ushtron e edhe të situatës në Hagë, thotë se në këtë periudhë duhet përmbajtur nga deklaratat.

Pasi zoti Thaçi e zoti Veseli janë duke u përballë me drejtësinë nuk do te ishte e ndershme nga kjo pozitë unë të rëndoj edhe më shumë situatën, ne tani duhet të përmbahemi nga deklaratat, posaçërisht nga pozita e ministrit të Mbrojtjes, por asesi nuk i jam gëzuar për cilindo autoritet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që duhet me u përballë me autoritetet e gjykatës ndërkombëtare”, thotë Quni për KP.

Ish-luftëtari i Betejës së Kosharës thotë se brenda organizimit ushtarak ekziston një kulturë e përkrahjes reciproke.

Askush nuk i gëzohet nëse një pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet me u përballë me gjykatën ndërkombëtare. Ne urojmë që gjithë ato veprime të UÇK-së pa marrë parasysh si do të jetë epilogu individual për të akuzuarit, të ruaj imazhin e mirë qe e ka të qytetarët por edhe në përgjithësi nga komuniteti ndërkombëtar. Tek e fundit ka qenë një luftë çlirimtare që është zhvilluar në Kosovë, jo jashtë kufijve të Kosovës, kur qenia e popullit shqiptar ka qenë në pikëpyetje nga agresioni serb”, thotë ai.

Qunin nuk e kanë befasuar zhvillimet e fundit rreth mundësisë së shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ai thotë se kjo është pritur dhe LDK është e gatshme për një situatë të tillë.

Quni tregon nëse pret që ndarja e LDK-së me Vjosa Osmanin të ndikojë në rezultatin zgjedhor të kësaj partie.

Zonja Vjosa Osmani gëzon një autoritet tek një pjesë e votuesve të LDK-së dhe nëse qëndrojmë në këto pozita do të ketë pasoja edhe për LDK-në, por urojmë që në ditët në vijim do të gjendet gjuha e përbashkët dhe të gjithë ata qe kanë çfarëdo arsye që të mbajnë ndonjë distancë me LDK-në, në të ardhmen ta gjejnë vetën brenda saj”, thotë Quni.

Sa i përket qëndrimeve personale të Qunit, nuk do të kishte ndonjë pengesë që LDK dhe Vjosa Osmani të vazhdojnë rrugëtimin politik së bashku.

Anton Quni synon qëndrimin në skenën politike në Kosovë, veçse për këtë i duhet besimi i organeve të larta të partisë./Gazeta Sinjali/