image QKMF në Malishevë lëshon udhëzime pa kritere, e mbingarkon QKUK-në

Shëndetësi

Shëndetësi/ QKMF në Malishevë lëshon udhëzime pa kritere, e mbingarkon QKUK-në

news image

Udhëzimet e gabuara të pacientëve për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po e mbingarkojnë QKUK-në edhe në kohën e pandemisë.
 
Sinjalizuesit kanë dërguar në Gazetën Sinjali një udhëzim nga Qendra e Mjekësisë Familjare “Dr.Shpëtim Robaj” në Malishëve në të cilin udhëzohet pacienti me dhimbje barku e vjellje për në Emergjencën e QKUK-së e jo në ndonjë nga spitalet rajonale .

“ Urgjenca është ndryshimi i menjëhershëm i gjendjes shëndetësore që në rast të mungesës së ofrimit të shërbimit të shpejtë shëndetësor rrezikon jetën ose dëmton seriozisht shëndetin e personit. Në QKUK referohen pacientët me dhimbje barku e të vjella, kjo po shkakton kaos dhe pamundësi për të kryer punë efektive nga fluksi i madh i pacientëve” –  tha njëri nga sinjalizuesit për Gazetën Sinjali.

Nga ana tjetër, Nuhi Morina, drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Malishevë thotë se në QKUK dërgohen rastet urgjente.

“Është natyra e sëmundjes e cila kërkon trajtim në QKUK-Prishtinë, si infarkti i miokardit, politraumat e ndryshme, pacientët e aksidentuar duhet sa më shpejtë që është e mundur të transportohen dhe të trajtohen nga profesionistët adekuat”- tha ai.

Kështu nuk thuhet në udhëzimin e siguruar nga Gazeta Sinjali, udhëzimi tregon se pacienti është referuar në QKUK për dhimbje barku e vjellje nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e drejtuar nga Nuhiu.

Gazeta ka provuar të flas edhe me Drejtorin e Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjanin por ai nuk ka qenë i qasshëm. Gazeta Sinjali