image Qeveria thotë se s’ka pranuar e as nuk është pajtuar me kurrëfarë autonomie në Bruksel

Politikë

Qeveria thotë se s’ka pranuar e as nuk është pajtuar me kurrëfarë autonomie në Bruksel

news image

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka mohuar se Kosova ka pranuar ndonjë autonomi të komunitetit serb në Kosovë në një reagim ndaj deputetit të LDK-së Avdullah Hoti i cili gjatë ditës ka shpërndarë një shkrim të “Fox News” ku citohet Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ndër të tjera deklaron se në kuadër të Marrëveshjes Bazike të arritur në shkurt dhe mars, “Kosova duhet t’u jep autonomi serbëve etnik të saj në veri të vendit ku janë shumicë”.

Hoti, duke cituar Leyen, i është drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që po qe se kjo nuk është e vërtetë, atëherë “të dalin e ta demantojnë”.

Ndaj kësaj kërkese të Hotit ka reaguar zëdhënësi Kryeziu i cili tha se gatishmëria për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve është bërë “sipas standardeve të Këshillit të Evropës”.

“Ajo çka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës?”, tha ai për RTK-në.

/GazetaSinjali/