Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, zotohet se do të ndërmarrë sivjet disa hapa drejt konkretizimit të proceseve integruese në BE.
Në një deklaratë nga Qeveria thonë se janë duke punuar ngushtë me shtetet që janë skeptike për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Për këtë proces, Qeveria thotë se ka arritur që t’i bindë disa prej tyre, por nuk specifikon cilat.
“Po bëhen katër vjet që çështja [e vizave] ka ngecur në Këshillin e BE-së, pra te vendet anëtare. Falë punës në sundimin e ligjit, luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe zhvillimeve pozitive në performancën ekonomike, ne kemi arritur që disa shtete hezituese dhe neutrale t’i kthejmë në favor të mbështetjes për liberalizim”, thonë nga Qeveria.
Sipas tyre, për heqjen e vizave është plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës në udhërrëfyesin për liberalizim.
Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.
Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, ka thënë më 7 maj se është “e padrejtë” dhe “johumane” mënyra se si Bashkimi Evropian i trajton qytetarët e Kosovës.
Sipas saj, me mosliberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është duke e humbur kredibilitetin e saj.
“Sinqerisht, nuk ka logjikë, nuk ka shpjegim. Është e vërtetë që ka qenë një momentum disa vite më parë, mirëpo ne e humbëm atë për shkak të zvarritjes së procesit të miratimit të demarkacionit [të kufirit] me Malin e Zi. Megjithatë, në fund, detyrimet, obligimet i kemi përmbushur”, ka thënë Çitaku për REL-in.
Edhe pse janë përmbushur të gjitha kriteret që nga viti 2016, vendimi për liberalizim nuk dihet se kur do të merret. Atë e kanë penguar vazhdimisht disa shtete anëtare të BE-së, si Franca dhe Holanda, të cilat kanë shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Në Evropë, vendet e vetme që nuk kërkojnë viza për qëndrim deri në 90 ditë në vit për kosovarët, janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia.
Kosova është, po ashtu, e vetmja në rajon që nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE. Por, nga Qeveria thonë se aplikimi në këtë bllok pritet të bëhet në pjesën e dytë të vitit 2022.
“Synimi ynë është që në pjesën e dytë të vitit, bazuar në vlerësimet për punën dhe reformat tona, të kemi një momentum pozitiv dhe të arrihet konsensusi ndërmjet 27 vendeve anëtare [të BE-së], që pas prezantimit të aplikimit tonë, Këshilli i BE-së të ftojë Komisionin Evropian që të përgatisë pyetësorin për vlerësimin e gatishmërisë për shtet kandidat”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.
Krahas këtyre përgatitjeve, Qeveria thotë se, brenda pak kohësh, do të aplikojë për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës – organizatën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë – si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Për këtë të fundit, nga Qeveria thonë se kanë themeluar tashmë një grup punues.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.