image Qeveria synon ta bëjë ligj kontrollimin e financimit të subjekteve politike, miratohet projektligji

Politikë

Qeveria synon ta bëjë ligj kontrollimin e financimit të subjekteve politike, miratohet projektligji

news image

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për financimin e subjekteve politike. Ekzekutivi synon ta sjellë një ligj që kontrollon financimin e subjekteve politike.

Kryeministri Albin Kurti, i cili e prezantoi propozim-vendimin, tha para kabinetit qeveritar se ky projektligj bazohet në opinionin e Komisionit të Venecias.

“Projektligji bazohet në opinionin e Komisionit të Venecias dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët vendorë. Ky projektligj parasheh dispozita në lidhje me kontrollin financiar të subjekteve politike, auditimin e raporteve financiare dhe publikimin e tyre”, tha ai.

Meqenëse një projektligj për financimin e partive politike nuk ka arritur ende të miratohet në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se Qeveria ka tentuar ta arrijë një konsensus para se ta sjellë këtë propozim-vendim në kabinetin qeveritar.

“Marrë parasysh faktin që projektligji për një kohë të gjatë nuk arrin të miratohet në Kuvendin e Kosovës, Qeveria jonë ka organizuar edhe tryezë, përmes së cilës edhe ka tentuar të arrijë konsensus politik para miratimit në Qeveri. Komentet e pranuara përmes këtij organizimi janë inkorporuar dhe forma më e mirë e këtij projektligji sot po prezantohet para jush”, tha kryeministri./GazetaSinjali/