Në mbledhjen e sotme të qeverisë që pritet të mbahet në orën 15:30, do të shqyrtohet propozimi për krijimin e një Komisioni të Posaçëm për parandalimin e infektimit me koronavirus.
Mbrëmë, në një mbledhje të jashtëzakonshme qeveria miratoi një sërë masash parandaluese për përhapjen e Covid-19, që përfshin edhe mbylljen e shkollave deri më 27 mars.
Në mbledhjen e mbrëmshme të qeverisë u diskutua mundësia e parandalimit të rritjes së çmimeve të produkteve në këtë situatë të pazakontë.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti propozoi formimin e një komiteti ekzekutiv që do ta mbikqyrë këtë çështje.
“Propozimi me vend. Rregullorja e qeverise na lejon që të formojmë komitete ekzekutive për raste specifike. Ne qysh nesër mund të shohim specifika që ta formojmë një komitet ekzekutiv, 3-4 ministra edhe disa përfaqësues të institucioneve të ndryshme, ta zëmë të ATK-së ose të komunave, ose të autoriteteve të konkurrencës, disa prej institucioneve farmaceutike…”, tha Hoti. /Gazeta Sinjali/