image Qeveria pret ditën e fundit për të dërguar në ZRRE komentet për shtrenjtimin e rrymës

Kosovë

Qeveria pret ditën e fundit për të dërguar në ZRRE komentet për shtrenjtimin e rrymës

news image

Qeveria e Kosovës ka vendosur që në ditën e fundit të caktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji t’i dërgojë komentet lidhur me propozimin për rritje të tarifave të energjisë.

Nga Qeveria kanë bërë të ditur se janë në finalizim të dokumentit, të cilin pritet ta dërgojnë të hënën.

Komente nuk kanë dërguar as partitë opozitare edhe pse kishin thirrur seanca në Kuvendin e Kosovës për të kundërshtuar propozimet e ZRRE-së, për rritjen e çmimit të rrymës.

Komentet që ka marrë deri më tani ZRRE-ja

Komentet që ka pranuar deri më tani ZRRE-ja janë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO, raporton Gazeta Sinjali.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë ka propozuar që pragu prej 600 kilovatë të rritet, teksa çmimi të shtrenjtohet për 5% deri te pragu i përcaktuar

Kurse, KEDS dhe KESCO në komentet e tyre që tashmë i kanë dërguar kanë kërkuar rritje tarifore prej 47% që sipas tyre të mos rrezikohet sistemi pas humbjeve në vitin e kaluar.

Në anën tjetër, operatori KOSTT ka paralajmëruar se janë në prag të falimentimit, pasi që kanë shumë shpenzime, përfshirë këtu edhe pagesën e rrymës në veri të vendit.

Kritika të shumta ditë më parë kishte shkaktuar propozimi i ZRRE-së, për ngritje të tarifave të energjisë së shpenzuar elektrike.

Ku sipas këtij propozimi, nëse gjatë një muaji shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.

Propozimi i ZRRE-së ka ngjallur kritika të ashpra që pasuan edhe me protesta. Brenda një jave u mbajtën dy të tilla.

Njëra u organizua nga shoqëria civile me moton “Asnjë cent më shumë”. Kurse, tjetra u organizua nga Partia Social Demokrate, e ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm qytetarësh.

Protestuesit thanë se propozimi për shtrenjtimin e rrymës është i padrejtë, pasi ata veçse po përballen me krizën ekonomike dhe atë të pandemisë.

Po ashtu, në protestën e organizuar nga PSD-ja morën pjesë edhe disa deputetë të partive opozitare.

Kryeministri Albin Kurti në anën tjetër tha se konsumi është i lartë dhe dikush duhet që ta paguajë rrymën e importuar.

“Pra këtë diferencë dikush duhet ta paguajë, nuk mund të konsumojmë 1318 e të prodhojmë 727 ose duhet të bëjmë shkyqje ose duhet të kalojmë tek rritja e tarifave. Është dallim shumë i madh prej konsumit dhe prodhimit”, kishte deklaruar Kurti. /GazetaSinjali/