image Qeveria nuk ka përgjigje pas vendimit të SBASHK-ut që dita e hënë të jetë pushim

Arsim

Qeveria nuk ka përgjigje pas vendimit të SBASHK-ut që dita e hënë të jetë pushim

news image

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po sfidohet edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, lidhur me zbatimin e vendimit që dita e hënë të jetë ditë e rregullt pune.

Kjo pasi që sindikata ka dalë kundër këtij vendimi, duke njoftuar se 30 nëntori, e hënë, do të jetë pushim, shkruan Gazeta Sinjali.  

“SBASHK duke u bazuar në konsultimet dhe kërkesat e anëtarësisë kujton se me kalendarin për këtë vit shkollor dita e hënë e 30 nëntorit është ditë pushimi dhe apelon te punëtorët e arsimit , që të martën me energji të reja dhe në shenjë të lartësimit të kujtimit për flamurin kombëtar, komandantin legjendar Adem Jashari e heronjtë e dëshmorët tjerë të kombit ta vazhdojnë betejën për dituri të reja dhe për përfundimin me sukses të gjysmëvjetorit të parë sipas Kalendarit të MASH për këtë shkollor”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

E “vazhdimin e betejës për dituri” SBASHK e caktoi të martën, duke u bazuar në kalendarin e vitit shkollor.

Edhe pse nga MASH nuk ka ende asnjë njoftim përkundër paralajmërimit, Gazeta Sinjali kontaktoi sërish Zyrën e Kryeministrit për t’i pyetur në lidhje me vendimin e SBASHK-ut.

Nga ZKM nuk e komentuan vendimin e kësaj sindikate, si dhe thanë se nuk do të ketë njoftim tjetër përveç atij që është lëshuar dje.

Në njoftimin e ditës së djeshme, Hoti tha se në të gjitha institucionet arsimore, në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt të hënën.

“Në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti Covid të ndërmarra nga Qeveria. Ky vendim vjen si solidarizim me të gjithë ata të cilët janë në linjën e parë të frontit me pandeminë Covid- 19, punëtorët shëndetësor, stafin mbështetës në institucionet shëndetësore, polici dhe inspektorat, të cilët janë duke punuar për disa muaj me radhë pa asnjë ditë pushimi”, ka shkruar dje Hoti.

/GazetaSinjali/