image Qeveria në largim jep tenderë me marrëveshje të jashtëligjshme

Kosovë

Shkelje/ Qeveria në largim jep tenderë me marrëveshje të jashtëligjshme

news image

Qeveria në largim po e aplikon një metodë të re për t’i dhënë tenderë kompanive të ndryshme.

Në fund të mandatit, ministritë dhe institucionet tjera qeveritare kanë nënshkruar kontrata me kompani përmes metodës së negocimit, duke shmangur publikimin e njoftimit për kontratë.

Kjo metodë tenderimi është e jashtëligjshme dhe e shmangë konkurrencën, shkruan Gazeta Sinjali.

Para disa ditësh, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, që sipas kompetencave ligjore monitoron tregjet përkatëse, ia kishte tërhequr vërejtjen institucioneve publike për këtë shkelje flagrante të konkurrencës.

Këtë reagim nuk e ka marrë seriozisht askush nga qeveria në largim, e cila asnjëherë nuk është deklaruar për këtë çështje.

Realizimi i kontratave publike në këtë mënyrë, shton dyshimin se kompanitë nuk e fitojnë tenderin, por atë ua jep institucioni sipas qejfit. Në procedurë të rregullt, qeveria apo cilido institucion publik do të duhej ta bënte fillimisht publikimin e njoftimit për kontratë, ku kompanitë do të mund të garonin të barabarta për një tender të caktuar.

Shefi i Departamentit të Tregut në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Etrit Tetova, ka thënë për Gazetën Sinjali se janë njoftuar se që nga rënia e qeverisë, ka rritje të aplikimit të procedurës së prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo, sipas tij, paraqet shqetësim për AKK-në dhe mund të cilësohet si sjellje anti-konkurruese.

“Kemi informata se nga rënia e Qeverisë kemi rritje të aplikimit të procedurës së prokurimit “pa publikim të njoftimit për kontratë, që i bie “kontrata të negociuara”, procedurë e cila parashihet në nenet përkatëse të LPP-së, mirëpo aplikohet në rastet të cilat i specifikon ligji. Ndërkohë kemi rritje të shpejtë të aplikimit të kësaj procedure dhe për Autoritetin e Konkurrencës përbën shqetësim sepse me aplikimin e kësaj procedure eliminohet që në fillim konkurrenca. Nëse nuk ka arsyetim ligjor dhe arsye të bazuara, kjo mund të cilësohet si sjellje anti-konkurruese”, ka thënë Tetova.

Ai ka paralajmëruar nisjen e procedurave për ta hetuar këtë fenomen që po del të jetë evident.

“E kemi vënë theksin në këtë çështje për t’i sensibilizuar organet përkatëse dhe opinionin, ndonëse Autoriteti ka kompetencë ligjore që të ndërhyj në dhënien e rekomandimeve apo mendimeve profesionale e në rastet e dyshimeve të bazuara zyrtarisht mund të fillojë procedura e hetimit paraprak”, ka thënë Tetova.

Institucionet që do të duhej të ndërhynin në këtë çështje janë edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Agjencia Qendrore e Prokurimit dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Tetova thotë se këto institucione janë në dijeni për rritjen e aplikimit të kësaj procedure nga institucionet publike.

“Ata janë në dijeni për këtë rritje rapide të aplikimit të kësaj procedure të prokurimit e shpresojmë se do të ndërmarrin masa për ta frenuar apo ndaluar këtë dukuri”, ka thënë Tetova.

Përveç rritjes së kësaj procedure të jashtëligjshme të prokurimit, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, qeveria në largim ka rritur edhe numrin e punësimeve nëpër ministri.

82 persona janë punësuar nëpër ministri, ndonëse kryeministri në largim dhe disa nga ministrat e qeverisë së tij kishin deklaruar se nuk e dinin pozitën e tyre pas dorëheqjes. Përveç këtyre 82 vetave, janë 156 persona tjerë që ende presin të punësohen nëpër ministri dhe në Zyrën e Kryeministrit, kur kanë mbetur më pak se 3 javë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /Gazeta Sinjali/