Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës e ka shkarkuar Bordin Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me Statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave.
Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes korresponduese, e shtatëmbëdhjeta me radhë, që është zhvilluar dje, shkruan Gazeta Sinjali.
“Qeveria në detyrë ka aprovuar vendimin për shkarkimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me Statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave”, thuhet fillimisht në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Më tej bëhet e ditur se me po këtë vendim është emëruar Bordin e Ri me përbërje të këtyre anëtarëve:
1. Dr. Agreta Gecaj – Gashi – Qendra Klinike Universitare e Kosovës;
2. Dr. Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës;
3. Dr. Xhevat Jakupi – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike;
4. Dr. Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore;
5.Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor;
6. Dr. Mirsad Shkreta – Ministria e Shëndetësisë;
7. Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.
Kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar të cilin e pason me radhë në vitin e dytë përfaqësuesi i QKUK dhe në vitin e tretë përfaqësuesi i QKSUK. /Gazeta Sinjali/