As maskat në fytyrë nuk i kanë e madje s’respektohet as distanca sociale. Në Deçan, mbrëmjen e sotme Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mbledhur rininë, që duket qartë në fotografi sa të rrezikuar janë nga infektimi me COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Një veprim i tillë është tërësisht kundër vendimit që sot mori Qeveria e Kosovës rreth masave.
Kandidati për deputet nga kjo parti, Daut Haradinaj, madje me krenari i ka falënderuar të rinjtë, duke postuar edhe fotografi.
“Faleminderit rini e Kosovës, faleminderit Deçan! Urime fitorja e 14 shkurtit!”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Në fotografitë e postuara, shihet qartë se nuk respektohet asnjë masë.
Vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës e thotë qartë se kjo është e kundërligjshme.
“Masat për aktivitetet publike – Në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 50 personave, ndërsa në sheshe publike, parqe, vende publike, qendra rekreative dimërore dhe të ngjashme, lejohet deri në 80 persona”, thuhet në vendim.
Në vendim, thuhet gjithashtu se ndalohet organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare, por tubimi ku është AAK-ja në Deçan, e madje edhe shumë tubime të partive tjera, po bëhen pikërisht në restorante ku mbaheshin dasmat, ndonëse jo me numër kaq të madh të ftuarish./Gazeta Sinjali/