Qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990, shkruan Gazeta Sinjali.
“Qeveria në këtë mbledhje, po ashtu ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990 të cilët kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor 1999, që kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datën 2 korrik 1990 dhe me datën 7 shtator 1990 si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës edhe në shtator të 2021 kishte marrë vendim që t’i kompensojë financiarisht delegatët e legjislaturës së vitit 1990 të cilët kishin marrë pjesë në mbledhjen e 2 korrikut 1990.
Nga ky vendim, 105 deputetët e atëhershëm përfituan proporcionalisht shumën prej 2,733 eurove. Ndërsa për deputetët që sot nuk janë gjallë, kompensimin e plotë financiar të njëhershëm do ta gëzojnë familjarët e tyre.
“Nga ky vendim 105 deputetë do të përfitojnë proporcionalisht shumën prej 2.733 euro. Për ata deputetë që nuk janë në jetë, kompensimin e plotë financiar të njëhershëm, do e gëzojnë bashkëshortja/e veja e deputetit, apo fëmija deri në moshën 18 vjeçare, ndërsa nëse janë në studime deri në moshën 26 vjeçare”, thuhej në njoftimin e MPMS’së në shtator.