Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë vendim që të miratohet licencimi i profesionistëve të huaj shëndetësor, për qëllime humanitare.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e parashtroi kërkesën për plotësim-ndryshimin e udhëzimit administrativ për licencimin e profesionistëve të huaj shëndetësorë për nevoja të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Latifi tha se e konsideron të rëndësishëm këtë vendim, duke theksuar se përmes këtij vendimi, mundësohet licencimi i shpejtë i profesionistëve shëndetësor, që vijnë nga Lugina e Preshevës.
“Kemi nevojë për licencimin e profesionistëve të huaj për qëllime humanitare në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës siç janë planifikuar intervenimet, trajtimet kardio-kirurgjike për fëmijë nga ana e tyre profesionale nga datat 7 deri 14 maj të vitit 2022”, deklaroi ministri Latifi.
Ministri Latifi e konsideron tejet të nevojshme që të nxirret plotësim-ndryshimi i udhëzimit administrativ për licencim të profesionistëve të huaj shëndetësorë.
“Në udhëzimin administrativ për licencimin e profesionisteve të huaj shëndetësorë janë fuqizuar dispozitat e udhëzimit administrativ, po ashtu me këtë vendim mundësohet të ofrohet më shpejtë edhe licencimi i profesionistëve shëndetësorë që vijnë nga Lugina e Preshevës“, tha ai.