Qeveria e ka miratuar projektligjin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrje-daljes së mallrave.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo marrëveshje parasheh një sërë lehtësirash doganore dhe të tregtisë mes dy vendeve.
“Më tutje, parasheh edhe vendosjen e zyrës doganore të Republikës së Kosovës në zonën doganore të portit të Durrësit dhe Porto Romanos. E gjithashtu, përfshin edhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha ai.
Qeveria po ashtu e miratoi edhe projektligjin për marrëveshjen e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë lidhur me çështjen e stazhit të punës dhe pensioneve.
Ministri Murati u shpreh se “Kjo mundëson që qytetarët e të dyja vendeve të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, familjare, invalidore, të punës; e drejta e pra edhe nga fondi i kursimeve pensionale individuale si dhe pushimin e lehonisë. Me anë të këtij projektligji, qytetarëve nga Kosova që kanë qenë të punësuar për një kohë të gjatë në Shqipëri do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë”.
Ai shtoi se punëtorët nga Kosova që punojnë në Shqipëri po ashtu mund t’i bashkojnë periudhat e kontributeve (stazhin e punës).
Projektligjin për marrëveshjen e nënshkruar në mbledhjen mes dy qeverive më 26 nëntor të vitit 2021 e prezantoi kryeministri Albin Kurti./GazetaSinjali/