Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për hapjen edhe të 4 pikëkalimeve tjera kufitare, raporton Gazeta Sinjali.
Zemaj ka propozuar që për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që hyjnë nga jashtë në Kosovë, të hapen pikat e kalimit kufitarë Qafë Prush, Qafë Morinë, Muqibabë dhe Mutivodë, ndërsa kërkoi që vendimi të hyjë në fuqi më datë 22 të këtij muaji.
“Është parë e domosdoshme nga fluksi i madh i qytetarëve që drejtohen në pikat tjera… Kemi propozuar që të happen edhe pikat e kalimit të kufirit Qafë Prush, Qafë Morinë, kufirit Muqibabë dhe kufirit Mutivodë”, tha Zemaj në mbledhjen e qeverisë.
Ai shtoi se në bazë të situatës, mund të hapen edhe pikëkalimet tjera kufitare.
“Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brenshme do ta analizojë situatën që varësisht nga kapacitetet, gradualisht t’I hapë edhe pikëkalimet tjera kufitare”, tha Zemaj.
Kabineti qeveritar i votoi me shumicë votash propozimet e Zemajt. /Gazeta Sinjali/